Mirdita u trondit nga një vrasje. Në fshatin Shkorret, u gjet i vrarë me armë zjarri një person, i identifikuar si shtetasi Valter Lleshi, rreth 45 vjeç. Trupi i pajetë u zbulua brenda automjetit ku udhëtonte, tip Toyota.
Lleshi ishte punonjës i një kompanie në Spaç. Në muajin mars, makinerisë së tonazhit të rëndë të kompanisë e që drejtohej nga viktima, iu vu tritol, por nuk arriti të shpërthente.
45-vjeçari është qëlluar me breshëri plumbash automatiku teksa shkonte në punë. Në vendngjarje u gjetën 18 gëzhoja. Një person që shkonte në punë pikasi makinën ku gjendej viktima e njoftoi policinë.
Dyshohet se u ekzekutua për motive hakmarrjeje. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai njihej për lidhjet miqësore me fisin Reçi.
Një nga pistat lidhet me një dyshim të hershëm për përfshirjen e Lleshit në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen. Keli ishte i afërm i Armando Gjinit. Megjithatë, burime nga policia sqarojnë se deri më tani Valter Lleshi nuk ka qenë i hetuar dhe as i skeduar si i dyshuar për krimin.
Në zonë nuk ka kamera sigurie.