Bota

Vritet ish-kryetari i Parlamentit të Ukrainës!

Ish-kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Andriy Parubiy, është vrarë me armë zjarri në qytetin perëndimor të Lvivit. Autoritetet ukrainase thanë se po punojnë për kapjen e të dyshuarit.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm bëri të ditur se një burrë i armatosur ka qëlluar disa herë ndaj Parubiyt, duke e lënë të vdekur në vend. Agresori u arratis dhe është shpallur në kërkim.

Parubiy, 54 vjeç, ishte anëtar i Parlamentit dhe kishte shërbyer si kryetar i tij nga prilli 2016 deri në gusht 2019. Po ashtu ka qenë një nga udhëheqësit e protestave të viteve 2013–14 që kërkonin lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.

Ai gjithashtu ka shërbyer si sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës nga shkurti deri në gusht 2014, në periudhën kur nisi lufta në lindje të vendit dhe Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë.

Zyrtarët nuk treguan nëse vrasja lidhet drejtpërdrejt me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ministri i Punëve të Brendshme Ihor Klymenko dhe prokurori i Përgjithshëm Ruslan Kravçenko sapo raportuan për rrethanat e para të një vrasjeje të tmerrshme në Lviv. Andriy Parubiy është vrarë, shkroi presidenti Volodymyr Zelensky në X.

Zelensky i shprehu ngushëllime familjes dhe të afërmve të Parubiyt, duke shtuar: “Të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme janë angazhuar për hetimin dhe kërkimin e vrasësit”.

Policia kombëtare njoftoi se të shtënat në Lviv u raportuan rreth mesditës. Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi, deklaroi se gjetja e autorit dhe zbardhja e rrethanave të sulmit janë me rëndësi jetike.

Kjo është një çështje sigurie në një vend që ndodhet në luftë, ku, siç shohim, nuk ka vende plotësisht të sigurta, shkroi Sadoyvi në Telegram.