Rajoni

Vuçiç: “Jo naiv, rreziku i anëtarësimit të Kosovës në NATO!”/BE thirrje Serbisë të mbështesë sanksionet për Rusinë!

Ndërsa lufta në Ukrainë ka rritur vigjilencën në Kosovë e po ashtu ka raportime në media se në Kukës, shumë qytetarë nxitojnë të furnizohen me miell, Aleksander Vuçiç thotë se “momentalisht, nuk mund të vlerësojë sa real është rreziku që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s”. Sipas tij, situata “nuk është aspak naive”.

Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, u shpreh se “anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO është nevojë urgjente, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë”.

Duke folur në një aktivitet në Kragujevc të Serbisë, Vuçiç tha se “për këtë ide ka dëgjuar rreth 6 muaj më parë, nga shërbimet e sigurisë serbe”.

Kjo është ide e lobistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Europian dhe Amerika, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën shtet, ta bëjnë këtë! Ky mund të jetë justifikim për disa, që të thonë se duhet ta njohin Kosovën, sepse nuk kanë rrugëdalje tjetër dhe se nuk mund të dalin kundër! Kjo do të ishte një përpjekje për të na vënë përpara një fakti të kryer, për të na thënë se ju jeni të vetmit që keni mbetur pa njohur pavarësinë e Kosovës!

Katër vendet e Unionit e po ashtu edhe të NATO-s, që nuk e kanë njohur Kosovën, janë: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Qipro është një tjetër vend i BE-së, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Prishtina e bëri të qartë qëndrimin se “Europa dhe bota po përballen me një sfidë serioze të sigurisë, pas agresionit rus ndaj Ukrainës”.

Ministri Mehaj:

Ekziston një nevojë e madhe që vendet demokratike të ndërmarrin hapa vendimtarë dhe të bashkohen përballë një sfide të tillë! Kosova ka treguar një përkushtim të fuqishëm ndaj vlerave demokratike e paqes. Ne u bëjmë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë, të mos hezitojnë!

Gjithashtu, Mehaj përsëriti thirrjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë, “për të forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë”. Të njëjtën ftesë, Kosova ia dërgoi Amerikës edhe në tetor të vitit të kaluar.

Bashkimi Europian ripërsërit thirrjen ndaj të gjitha shteteve kandidate, përfshirë Serbinë, që të përshtaten me vendimet e Bllokut sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Zëdhënësja e Komisionit Europian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero:

Nga vendet kandidate, siç është Serbia, presim që t’u bashkohen qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë!