Politikë

“Xhafaj”, Rama këmbëngul: Sabotim i mirëfilltë i opozitës

Pas dëshmisë me video të Albert Veliut në Çështjen Xhafaj, Kryeministri Rama ripërsëriti se kjo është maskaradë për të hedhur në erë çeljen e negociatave të anëtarësimit europian të Shqipërisë. Me kthimin nga Sofja, ku mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, Rama dha një konferencë shtypi në ambjentet e Aeroportit: “Unë i jam drejtuar një agjencie të specializuar, adresën nuk mund tua jap, dhe ajo çfarë kam bërë ka qenë urgjente për mua. Nuk ka vlerën e një prove, provën duhet ta identifikojë dhe certifikojë cilado që të jetë ajo, Prokuroria, por për sa më takon jam shumë i qartë, bëhet fjalë për një maskaradë të organizuar me qëllime që janë të qarta për të gjithë, dhe e motivuar nga frymëzimi malinj për të bërë çmos për të penguar dhe mundësisht hedhur në erë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë”. Rama ritheksoi se gjithçka është manipulim i shëmtuar i PD-së, ndërsa refuzoi të japë detaje për agjencinë të cilës iu drejtua dhe që i rikonfirmoi bindjen se audio- përgjimi që përfshin Agron Xhafajn në pazare droge, nuk është autentik: “Përgjigja ime është e qartë dhe e prerë ajo çfarë i është servirur publikut si material autentik është thjesht dhe vetëm manipulim i shëmtuar, pastaj detajet, si-të dhe pse-të e këtij manipulimi janë çështje të Prokurorisë”, tha  Kryeministri Rama.