Reperi dhe ylli i YouTube Yung Filly, emri i vërtetë i të cilit është Andres Felipe Valencia Barrientos, ka pranuar para gjykatës se e ka kafshuar disa herë gruan që e akuzon për përdhunim, ndërsa vazhdon të mohojë akuzat për dhunë seksuale dhe fizike.
Ngjarja, sipas akuzës, dyshohet të ketë ndodhur në vitin 2024 në Perth, Australi, pasi artisti kishte performuar në një klub nate.
Gjatë dëshmisë së tij, Barrientos mohoi se kishte pasur kontakte të papërshtatshme me gruan në ambientet e klubit, duke deklaruar se vetëm ia kishte vendosur dorën në bel.
Ai këmbënguli gjithashtu se marrëdhënia intime që pasoi në hotel ishte plotësisht me pëlqimin e të dyja palëve.
Megjithatë, reperi pranoi se e kishte kafshuar disa herë gruan gjatë aktit intim, duke i përshkruar ato si “love bites”, një term i përdorur zakonisht në Britani për kafshimet që ndodhin gjatë momenteve intime.
Nga ana tjetër, gruaja ka dhënë një version krejtësisht tjetër të ngjarjes. Ajo ka deklaruar se Barrientos u bë i dhunshëm gjatë marrëdhënies seksuale, duke pretenduar se e goditi, e kapi nga qafa dhe e përdhunoi disa herë, pavarësisht se ajo i kërkoi vazhdimisht të ndalonte.
Gjatë seancës gjyqësore u paraqitën edhe fotografi të lëndimeve të pretenduara të viktimës. Sipas provave të paraqitura, në trupin e saj shiheshin mavijosje të shumta dhe shenja kafshimi në fytyrë, qafë dhe gjoks.
Një prej plagëve, sipas dëshmisë në gjykatë, kishte depërtuar në lëkurë dhe kishte kërkuar trajtim mjekësor.
Procesi gjyqësor është ende në zhvillim. Barrientos vazhdon të deklarohet i pafajshëm për akuzat e përdhunimit dhe dhunës fizike, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë provat dhe dëshmitë e të dyja palëve përpara marrjes së një vendimi.