Aktualitet

Zbardhja e vrasjes së Klevis Lleshit, RENEA dhe FNSH te lokali i të dyshuarit!

Prokuroria e Posaçme zbardhi rrëmbimin dhe vrasjen e Klevis Lleshit, në Burrel. Për ngjarjen e ndodhur 5 vite më parë, SPAK akuzon si urdhërues shtetasin Aurel Hoxha. Në ambientet e një lokali që ndodhet në zonën e “Myslym Shyrit” dhe rezulton në pronësi të Hoxhës, në mëngjes zbarkuan forca të shumta të FNSH-së e RENEA-s.

Mësohet se krahas Aurel Hoxhës, SPAK-u ka ngritur dyshime edhe për tre persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, për të cilët janë lëshuar po ashtu urdhër-arreste. Një nga katër urdhër-arrestet u ekzekutua mbrëmjen e djeshme. Klevis Lleshi u zhduk pa lënë gjurmë në gusht të vitit 2020 dhe trupi i tij u gjet i groposur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, më shumë se dy vite e gjysmë pas kontaktit të fundit që pati me familjen.

Disa mbetje kockore që u gjeten nga banorë të zonës disa muaj pas ngjarjes konkretisht në dhjetor të vitit 2020, pas ekspertizës së kryer nga Instituti i Policisë Shkencore, duke përdorur edhe ADN-në, rezultuan se i përkisnin të riut nga Mati.

I riu që në atë kohë ishte 21-vjeç dyshohet të jetë marrë peng në afërsi të Pallatit të Sportit në qytetin e Burrelit. Më pas u vra e gropos në Shpërdhet, fshat i cili ndodhet në një terren të thyer malor rreth 10 km larg qytetit të Mamurrasit.