Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ra dakord të takohet me homologun amerikan, Donald Trump, “në një të ardhme të afërt”, ndërsa Uashingtoni po përshpejton përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Kievit dhe Moskës.
Zelensky njoftoi për takimin e planifikuar përmes rrjeteve sociale, duke thënë se ka pranuar një raport nga sekretari i Këshillit Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Rustem Umerov, lidhur me kontaktet e reja me zyrtarët amerikanë.
Nuk po e humbasim asnjë ditë. Jemi pajtuar për një takim të nivelit më të lartë me presidentin Trump, në një të ardhme të afërt. Shumë mund të vendoset para Vitit të Ri.
Trump nuk e ka konfirmuar publikisht një takim të tillë. Pas dy ditësh, Zelensky pritet të udhëtojë drejt Floridës për bisedime të nivelit të lartë në Mar-a-Lago.
Njoftimi vjen një ditë pasi Zelensky tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarit e Trump-it, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për të diskutuar “idetë e mira mbi një paqe të qëndrueshme”. Sipas Zelensky-t, në bisedë morën pjesë edhe Umerov, shef i Shtabit të Forcave të Armatosura, Andriy Hnatov e ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha.
Diskutuam për disa detaje kyç të punës. Ka ide të mira që mund të ndihmojnë në arritjen e një rezultati të përbashkët dhe një paqe të qëndrueshme. Siguria e vërtetë, rimëkëmbja e vërtetë dhe paqja e vërtetë, këto janë ato që na duhen, shkroi presidenti ukrainas.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur negociatorët amerikanë, ukrainas, si edhe europianë, po punojnë mbi një kornizë për paqe me 20 pika e që synon t’i japë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.
I shpalosur nga Zelensky më herët gjatë javës, ky plan përfshin pika për garanci të sigurisë për Ukrainën, rindërtimin dhe një udhëzues për ndalimin e armiqësive. Përfaqësues nga Rusia morën po ashtu pjesë në diskutimet e organizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Majami më 20 e 21 dhjetor. Më pas, Kremlini vuri në dukje se këto bisedime nuk mund të shihen si ndonjë përparim i madh.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se presidenti rus, Vladimir Putin u informua lidhur me bisedimet në Majami dhe se Rusia planifikon të vazhdojë kontaktet me Uashingtonin rreth qëndrimit të saj në ditët në vijim.