Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ njofton se është publikuar lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë. Sipas KQZ-së, kjo listë mund të konsultohet në www.kqz.gov.al, ose në aplikacionin KQZ në iOS apo Play Store.
Vetëm ata zgjedhës nga jashtë, të cilëve u është pranuar kërkesa për t’u regjistruar nëpërmjet PER, janë në përbërje të kësaj liste, thekson komisioni në një postim në rrjetet sociale.
Po ashtu, KQZ-ja sqaron se nga data 9 e deri më 10 mars 2025, këta zgjedhës kanë mundësinë të kërkojnë çregjistrimin nga lista e zgjedhësve nga jashtë, në rast se për arsye objektive gjykojnë se do të jenë në Republikën e Shqipërisë në ditën e zgjedhjeve, më 11 Maj 2025.
Gjithashtu, komisioni shpjegon se duhet të bëjnë edhe një herë kërkesën, ata zgjedhës që kanë ndryshuar vendqëndrim, pasi është miratuar kërkesa, duke saktësuar adresën e re, së bashku me dokumentin provues të adresës.
Në faqen e KQZ-së është publikuar një dritare ku votuesi nga jashtë shkruan NID e më pas vendos emrin, mbiemrin, atësinë dhe datëlindjen. Dërgimi i fletës së votimit bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmjet shërbimit postar.
Nëse procesi i miratimit të listave shumemërore ecën sipas afateve të parashikuara, mes datës 8 dhe 16 prill, synohet të përfundojë dërgimi i fletës së votimit dhe dokumentacionit zgjedhor.
Pasi të merret fleta e votimit, plotësohet sipas udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke zgjedhur subjektin zgjedhor dhe/ose kandidatin që dëshironi. Fleta dërgohet mbrapsht në KQZ, duke llogaritur kohën që të shkojë në këtë institucion, jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 maj 2025. Kostot e shërbimit postar paguhen nga shteti shqiptar.
Në total, janë mbi 294 mijë shqiptarë me banim jashtë që mund të marrin pjesë në votim më 11 maj. Mbi 48 mijë kërkesa u refuzuan për shkak të mangësive. Më tej, emrat e votuesve nga jashtë do të hiqen nga lista e zgjedhësve në Shqipëri. Kërkesat kanë qenë nga mbi 100 shtete, por më shumë emigrantë janë regjistruar nga Italia e Greqia ku jetojnë dhe komunitetet më të mëdha. Në vend të tretë Gjermania, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas parashikimeve ligjore, vota e emigrantëve do të llogaritet në qarkun ku kanë rezidencën në Shqipëri. Më shumë se 52 mijë votues të regjistruar i përkasin Tiranës, pasuar nga Fieri me mbi 32 mijë dhe Elbasani e Durrësi me pak më shumë se 25 mijë votues nga jashtë.