Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri. Sipas tyre nuk përmbushen kërkesat që i shtynë të largohen nga institucionet e vendit.
Kjo e bën mëse të qartë se Prishtina dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës dhe Metohisë, kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët e komunave nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar, në kuadër të largimit masiv të punonjësve serbë nga institucionet e Kosovës.
Ky veprim u ndërmor në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të qeverisë Kurti, për të kryer procesin e riregjistrimit të targave serbe, në të Kosovës, vendim i cili më pas u pezullua me një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, një tjetër kërkesë e Listës Serbe për t’iu rikthyer institucioneve të Kosovës është edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilin u ra dakord në dialogun mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.
Deri tani, autoritetet e Kosovës e refuzojnë zbatimin e marrëveshjes, duke e cilësuar “të dëmshme”. Sipas tyre, “nuk mund të lejohet krijimi i bashkësive njëetnike”. Pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare, kryeministri Albin Kurti, vendosi kushtet në të cilat mund të formohet Asociacioni, disa prej të cilave kërkohet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash fillimisht ishin caktuar për në datën 18 dhjetor 2022, por u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, edhe atëherë refuzoi të merrte pjesë. Që nga viti 2013 kur u formua, kjo parti siguroi mbi 90% të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.
Por, misioni vëzhgues i BE-së vazhdimisht thekson se “Lista Serbe monopolizoi jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.
Janë regjistruar raste të frikësimit dhe votuesit ishin nën presion nga kandidatët e aktivistët e kësaj partie.