Rajoni

Zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës, ministri Sveçla: Do të kenë sukses!

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u shpreh i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri do të përfundojnë me sukses. Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, ato mbahen më 23 prill, për të zgjedhur kryetarët e komunave, ndërsa në Leposaviç e Zveçan edhe për kuvendet komunale.

Gjatë raportimit në komisionin parlamentar për Integrimin Europian, Sveçla tha se “Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme janë në dispozicionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar votimet”.

Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë, të sigurt, qoftë për organizatorët, por edhe për vetë qytetarët atje. Janë çështje të vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. Por, me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri. Jam i bindur që i gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm duke tejkaluar edhe problemet.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë refuzon të marrë pjesë. Në garë janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, vetëm dy të komunitetit serb. Për gjendjen e sigurisë në veri, Sveçla tha se “kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë kurrë nuk kanë bërë punë më të mirë”.

Në veri ka prezencë të strukturave të sigurisë si kurrë më parë. Aktualisht, Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike, duke kultivuar kriptovalutat. Mund të them se është suksesi i radhës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot të miratojë listën me qendrat e votimit. Deri tani është votuar në shkolla, por këtë herë duket se nuk ka shanse pasi kontrollohen nga serbët që kundërshtojnë zgjedhjet. Qendrat alternative e komisariatet policore janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra votimi.

Nëntorin e kaluar, kryetarët e komunave në veri dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Fillimisht, zgjedhjet ishin planifikuar të mbaheshin dhjetorin e kaluar, por u anuluan për shkak se grupe qytetarësh shkaktuan trazira gjatë fazës së përgatitjeve.