Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të detyruara që deri më 7 maj të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Ky detyrim ligjor vlen për 53 partitë aktualisht të regjistruara, ndërsa nuk përfshin subjektet që synojnë të garojnë si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur.
Brenda të njëjtit afat, partitë duhet të deklarojnë edhe nëse do të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni.
Referuar rregullave të KQZ-së, një koalicion mund të formohet nga së paku dy parti politike, ndërsa pas certifikimit, asnjë subjekt nuk mund të tërhiqet nga koalicioni deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore.
Ndërkohë, periudha zyrtare e fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, zgjat 10 ditë e 7 orë, nga 28 maji e deri më 7 qershor, ora 06:59.
Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim pritet të hidhet më 16 maj, në përputhje me kalendarin zgjedhor të miratuar nga KQZ-ja. Emërimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) përfundon deri më 8 maj, ndërsa lista e qendrave të votimit publikohet nesër.
Procesi zgjedhor parashikon hapa specifikë për shtetasit që jetojnë jashtë Kosovës, duke u dhënë mundësinë e shprehjes së vullnetit përmes dy formave.
Votuesit jashtë vendit duhet të regjistrohen nga 6 deri më 17 maj dhe votimi me postë zgjat prej 25 majit e deri më 6 qershor.
Votimi fizik në konsullata dhe ambasada organizohet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri më 19:00. Me miratimin e këtij plani, zyrtarisht Kosova hyn në një fazë intensive elektorale.