Në Indi, një zjarr brenda një klubi nate të njohur, vrau të paktën 25 persona. Zjarri shpërtheu në një lokal të vendosur në Arpora, në distriktin North Goa, një nga zonat më të njohura në rajonin turistik të vendit.
Sipas të dhënave të policisë indiane e të raportuara nga Press Trust of India, katër turistë të huaj ishin mes viktimave. Hetimet paraprake tregojnë se shumica e njerëzve u asfiksuan pasi flakët shpërthyen në bodrumin e klubit, që nuk kishte ventilim të përshtatshëm.
Duket se zjarri filloi për shkak të shpërthimit të një bombole gazi. Të gjithë trupat e pajetë u nxorën nga mjediset e dëmtuara. Të paktën 100 persona ishin në pistën e vallëzimit kur u panë flakët dhe mes kaosit, disa prej tyre nxituan drejt kuzhinës, duke u bllokuar së bashku me stafin.
I vendosur përgjatë brigjeve të lumit Arpora, klubi i natës ka një rrugë të ngushtë hyrëse, duke i detyruar zjarrfikësit të parkonin cisternat e tyre rreth 400 metra larg, çka vonoi kështu përpjekjet në shuarjen e zjarrit. Qeveria urdhëroi një hetim të gjerë mbi tragjedinë, për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit dhe nëse në rastin konkret u respektuan apo jo siguria nga flakët e rregulloret e ndërtimit.