Bota

Zvicra konfirmon shtyrjen e bisedimeve SHBA-Iran!

Nuk ka bisedime Amerikë-Iran, të planifikuara për sot në Zvicër. Ministria e Jashtme zvicerane njoftoi shtyrjen e tyre. Krahas Shteteve të Bashkuara e Republikës Islamike do të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Katarit e Pakistanit që kanë ndërmjetësuar dialogun.

Njoftimi vjen pasi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë natës, zv.presidenti amerikan, JD Vance, anuloi udhëtimin e planifikuar për në Zvicër.

Në takimin me negociatorë iranianë pritej të diskutohej një marrëveshje paqeje, për t’i dhënë fund luftës së nisur më 28 shkurt. Shtëpia e Bardhë përmendi sfida logjistike për shtyrjen e udhëtimit të Vance-it.

Presim me padurim që të fillojmë bisedimet teknike, sa më shpejt të jetë e mundur.

Më herët, agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim raportoi se “asgjë nuk është konfirmuar” lidhur me udhëtimin e delegacionit të Teheranit në Zvicër.

Mediat iraniane cituan raportime të pakonfirmuara, sipas të cilave, Teherani ka shtyrë dërgimin e ekipit negociator për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu iranian, Masud Pezeshkian, më 17 qershor nënshkruan një marrëveshje kornizë që synon t’i japë fund luftës gati katërmujore.

Bazuar në akordin fillestar, Teherani dhe Uashingtoni kanë 60 ditë kohë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, e cila përfshin kufizime kundrejt programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Republikës Islamike.

Marrëveshja përfshin edhe kërkesën e Iranit që Izraeli të ndalë sulmet në Liban.

Lufta filloi pasi Amerika dhe Izraeli nisën fushatën ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt.