Aktualitet Politikë

Me 84 vota pro, Kuvendi miraton amnistinë penale, do lirohen 466 të dënuar! Rama në Kuvend, opozita bojkoton seancën!

Pasi opozita bllokoi për 4 orë foltoren e Kuvendit, deputetët u mblodhën pasdite për të votuar rendin e ditës.

Në sallë erdhi edhe kryeministri Edi Rama, për të votuar amnistinë penale, e cila kaloi me 84 vota pro.

Gjithashtu, deputetët e mazhorancës kanë votuar me 84 vota pro ndryshimi për kodin rrugor.

Partia Demokratike, e cila nuk lejoi zhvillimin normal të seancës, nuk është e pranishme në Kuvend.  Projektligji për amnistinë penale, sjell lirimin nga burgu për 466 të dënuar, nga të cilët 11 janë gra dhe 1 i mitur dhe 869 të tjerë përfitojnë ulje dënimi (mes tyre 8 gra dhe 1 i mitur).

Nga amnistia do të përfitojnë burrat që deri më 31 maj 2026 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg ose u ka mbetur pa shlyer 3 vite, apo gratë që janë dënuar apo u ka mbetur pa shlyer 4 vite burg deri më 31 maj do të lirohen menjëherë”.

LEXO EDHE: Liderët e BE-së drejt një vendimi të ri për zgjerimin, në tryezë integrimi gradual i vendeve kandidate, diskutimi strategjik mbahet në vjeshtë!

Nga opozita ishin të pranishëm vetëm deputetët e Partisë Mundësia. Deputeti Agron Shehaj u përjashtua pasi po pengonte procesin e votimit, me thirrjet Rama jep dorëheqjen.

“Vazhdoni në oborr me Tik-Tok-un tuaj. Te lulishtja”, i tha Peleshi-Shehajt ndërsa i njoftoi përjashtimin.

Më herët, opozita kërkoi diskutimin e kërkesave të protestuesve, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama e rezolutën e Parlamentit Europian që bën thirrje për ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura. Demokratët e mbajtën të bllokuar foltoren për gati 4 orë. Maxhoranca rrëzoi kërkesën e demokratëve për të ndryshuar rendin e ditës.