Sfida midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk do të luhet në Beograd.
Sipas asaj që konfirmon vetë UEFA, ky duel do të spostohet në “Gradski stadion Dubočica”, në qytetin e Leskovacit, po në datën e parashikuar, 11 tetor.
Ishte vetë Federata Serbe e cila kishte kërkuar që ky duel të spostohej nga Beogradi, kjo për shkak të çështjes së sigurisë.
Një vendim i tillë, është marrë pasi ndeshja paraqitet e nivelit të lartë të rrezikut, pasi ndeshjet e të shkuarës i kanë kaluar kufijtë e futbollit.
Kujtojmë që me 14 tetor 2014, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, një sërë incidentesh ndodhen në fushën e Beogradit!
Gjithashtu, pritet që të jepet dhe vendimi sa i përket mungesës së tifozëve në këtë takim, kjo pas sjelljes së turpshme që tifozeria serbe tregoi në duelin kundër Anglisë.
Më herët Presidenti serb Vuçiç e paralajmëroi diçka të tillë, teksa kritikoi Federatën Serbe për atë që ndodhi ndaj Anglisë.
“Nuk e di kush e ndryshoi stadiumin për Anglinë. Ndoshta federata nuk e ka përballuar dot presionin nga ambasada britanike. E luajtëm ndeshjen në Beograd në një atmosferë që nuk i bën mirë kombëtares. Aty tifozët nuk e duan kombëtaren dhe e pamë të gjithë se çfarë ndodhi në tribunë dhe në fushë. Më thonë nga federata, që me Shqipërinë do të luajmë në Leskovac. Lajm shumë i mirë. Aty e duan kombëtaren dhe atmosfera është pozitive. Nuk e di nëse do të kemi tifozë, sepse FIFA dhe UEFA mund të na dënojnë për idiotësirat që ndodhën ndaj Anglisë. Nëse po, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur ekipin”- tha ai.