Ndryshe nga vite më parë kur 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shënohej me aktivitete të ndryshme e protesta paqësore, sot qyteti minator i Bulqizës është i zbrazur. Aty mund të shihen ish-minatorë që qëndrojnë në qendër të këtij qyteti. Ish-punonjësit e nëntokës bashkohen në mendimin se dita e 1 Majit duhej të ishte protestë. Astrit Velia thotë:
Të ishte protestë pasi rrogat janë të ulëta, ndërsa çmimet e ushqimeve po ngrihen çdo ditë.
Për pensionin e ulët ankohet edhe ish-minatori Qazim Dama pavarësisht punës së gjatë e të rëndë në vite që i ka lënë dhe pasoja shëndetësore.
Kam punuar 30 vjet ku dhe jam gjymtuar në minierë e marr një pension të vogël. Për të drejtat duhet të protestohet, edhe fort biles!
Edhe ish-minatorë të tjerë nuk e fshehin zhgënjimin që sot në Bulqizë, punëtorët nuk protestojnë për të drejtat e tyre.
Sot duhet të jetë protestë për të kërkuar të drejtat e punëtorëve që kanë punuar në minierë.
Duhet të jetë festë, por në fakt është protestë sepse rinia është papunë, rinia ka ikur, kanë ngelur pleqtë këtu.
Sa i përket protestave, nga bota vijnë shembuj të tjerë. Sot në Francë, sindikatat do të përdorin 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve për të mobilizuar më shumë protesta kundër reformës së pensioneve të presidentit Macron, tashmë e miratuar. Autoritetet presin një total prej rreth 650 mijë pjesëmarrësish, në më shumë se 300 mitingje në të gjithë vendin. Reformën që shtyn moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, qeveria franceze e sheh si “punë të përfunduar”.
Sindikatat e anëtarë të opozitës franceze nuk heqin dorë nga lufta dhe duan të pengojnë zbatimin e projektligjit, më 1 shtator. Grevat vazhduan gjatë fundjavës duke çuar në ndërprerje të trafikut ajror në Francë. Vetëm në Paris, sot priten rreth 100 mijë demonstrues, ndërsa policia përgatitet për trazira. Për herë të parë do të përdoren dronët.