Bota

1 Maji, sot priten 650 mijë protestues kundër reformës së pensioneve në Francë!

Sot në Francë, sindikatat do të përdorin 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve për të mobilizuar më shumë protesta kundër reformës së pensioneve të presidentit Emmanuel Macron, tashmë e miratuar. Autoritetet franceze presin një total prej rreth 650 mijë pjesëmarrësish, në më shumë se 300 grumbullime në të gjithë vendin. Reformën që shtyn moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, tashmë qeveria franceze e sheh si “punë të përfunduar”.

Por, sindikatat dhe disa anëtarë të opozitës nuk kanë hequr dorë nga “lufta” për ta kundërshtuar dhe duan që të pengojnë zbatimin e projektligjit, më 1 shtator. Grevat vazhduan gjatë fundjavës duke çuar në ndërprerje të trafikut ajror në Francë.

Vetëm në Paris, sot priten rreth 100 mijë demonstrues, ndërsa policia përgatitet për trazira. Për herë të parë do të përdoren dronët për të monitoruar protestat. Manifestimet më të fundit mbarëkombëtare kundër reformës së pensioneve u zhvilluan dy javë më parë, pasi projektligji u miratua zyrtarisht.

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lindi nga beteja për të kërkuar e siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Ishte viti 1884 kur në Amerikë, Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve hartuan rezolutën në të cilën thuhej:

Nga 1 maji 1886, punëtorët duhej të punonin 8 orë në ditë.

Pikërisht më 1 maj të vitit 1886, mbi 200 mijë punëtorë, të mbledhur në “Haymarket”, sheshin qendror të Çikagos në SHBA, nisën grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Shtypi i kohës nuk i mbështeti, gazetat flisnin për “kërkesa absurde”. Në protesta humbën jetën 7 policë e Policia e Çikagos reagoi duke vrarë me bombë 8 drejtues kryesorë të Federatës së Punëtorëve.

Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889-ën, Internacionalja e Dytë Socialiste në Paris të Francës, vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të gjithë punëtorëve të botës. 132 vjet kanë kaluar nga ajo ditë.