Bota

100 milion dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan 100 milion dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s mblidhen në Bruksel për dy ditë bisedime rreth konfliktit atje. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken:

Bota është e tronditur dhe e tmerruar nga mizoritë e kryera nga forcat ruse në Bucha dhe në të gjithë Ukrainën. Forcat ukrainase vazhdojnë me guxim të mbrojnë vendin e lirinë e tyre dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e partnerët, qëndrojnë të palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, deklaroi se “ndihma do të plotësojë një nevojë urgjente ukrainase për sisteme shtesë “Javelin”, të cilat Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës dhe ato janë përdorur në mënyrë efektive”.

Para takimit të kryediplomatëve të vendeve të Aleancës në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve se “vendet anëtare janë të vendosura të ofrojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën humanitare dhe financiare, përveç pajisjeve ushtarake e ndihmës për sigurinë kibernetike”.

Gjithashtu, unë pres të vendosim të bëjmë më shumë për partnerët e tjerë të NATO-s, të cilët janë të cënueshëm ndaj kërcënimeve dhe ndërhyrjeve ruse, duke përfshirë Gjeorgjinë e Bosnjën.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është planifikuar të mbajë nesër një fjalim në takimin e NATO-s. Një ditë më parë, presidenti i Ukrainës kritikoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mosveprimin e tij në ndalimin e luftës së Rusisë dhe bëri thirrje që Moska të përballet me përgjegjësi për krimet e kryera atje.

Volodymir Zelenskyy foli në Këshillin e Sigurimit vetëm disa ditë pasi trupat ruse u tërhoqën nga Bucha, në periferi të Kievit, ku banorët dhe zyrtarët lokalë raportuan se më shumë se 300 civilë ishin vrarë nga pushtuesit. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe fajëson ata që i quan “nazistët” ukrainas.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë po bashkërendon sanksione të reja gjithëpërfshirëse me G-7/ën dhe Bashkimin Europian, që do të vendosen ndaj Rusisë në përgjigje të masakrave. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki u tha gazetarëve se “sanksionet do ta çonin Moskën në rrugën e izolimit ekonomik, financiar dhe teknologjik”.

Kjo do të përfshijë një ndalim për të gjitha investimet e reja në Rusi, sanksione të shtuara ndaj institucioneve financiare dhe ndërmarrjeve shtetërore, si dhe sanksione ndaj zyrtarëve të qeverisë e familjarëve të tyre.