Aktualitet

14 Maji, lejohen të votojnë edhe ata me dokumente identifikimi të skaduara!

Edhe personat që iu ka skaduar karta e identitetit do të lejohen të votojnë në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Vendimi u mor sot nga Këshilli i Ministrave, ndërsa në një deklaratë për mediat, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri të ditur se ky vendim pasoi konsultimet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, për shkak të numrit të madh të dokumenteve të identifikimit që skadojnë më 14 maj. Ministri Çuçi u shpreh:

Sot ne miratuam vendimin lidhur me shtyrjen e afatit të dokumenteve të identitetit që skadojnë në 14 maj. Pas konsultimeve me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe duke parë numrin e madh të dokumenteve të identitetit që skadojnë në 14 maj, ne vendosëm shtyrjen e afatit që të gjithë shtetasit të votojnë, pavarësisht se dokumenti i tyre i identitetit ka skaduar.

Në lidhje me ndryshimin e pronësisë së kompanisë për prodhimin e dokumenteve të identifikimit, nga private në shtetërore, ministri Bledi Çuçi vuri në dukje se erdhi për shkak se kompanisë i mbaronte kontrata në fund të korrikut. I pyetur nëse do të ketë ndryshim të çmimeve si për kartat e identitetit, ashtu dhe për pasaportat biometrike, ministri i Brendshëm deklaroi se do të vendoset pasi shteti të marrë në dorëzim kompaninë.

Ajo nuk është e lidhur fare me çmimin. Eshtë marrëdhënie kontraktore me kompaninë që mbaron në fund të muajit korrik. Ne do të marrim në dorëzim kompaninë e prodhimit të kartave. Vendosja e çmimit, pasi të marrim në administrim këtë kompani që ne tashmë e kemi krijuar dhe e kemi bërë publike. Jemi më fleksibël për të vendosur e ndryshuar çmimet.