Rajoni

“Kurti duhet të bëjë kompromis”/ Asnjë negociatë për institucionet pas zgjedhjeve, ekspertët: LVV i duhet marrëveshje

Partitë politike në Kosovë vazhdojnë të mos angazhohen në diskutime për formimin e institucioneve përkundër që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shumë pranë certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Derisa ky rezultat tregon se Vetëvendosje si parti e parë mund të zgjedhë kryetarin e kuvendit dhe të formojë qeverinë, zgjedhja e presidentit kërkon marrëveshje politike.

Sipas njohësve duhet bashkëqeverisje në mënyrë që të sigurohet kuorumi për president, por edhe për një qeveri stabile.

“Do të ishte e rrugës që vërtetë Lëvizja Vetëvendosje përveç që të zgjedh presidentin, të krijojë edhe qeverinë me ndonjërën prej subjekteve politike shqiptare”, tha Arbnor Sadiku-analist politik.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, njohësit thonë se do të ishte më e pranueshme nga bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila së fundmi u shpreh e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve.

“Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë ka atraktu më shumë Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm, kurse ka qenë shumë përjashtuese ndaj Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka shprehu ende gatishmëri për bashkëpunim me Vetëvendosje, derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se nuk e do bashkëqeverisjen me Albin Kurtin, por për kuorumin për president i ka vendosur gjashtë kushte që kanë të bëjnë me projekte të rëndësishme shtetërore.

Nga zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën parlamentare me 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës siguroi 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.