Sot në 19-vjetorin e vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, presidentja Vjosa Osmani dhe diplomatë të huaj në Kosovë bënë homazhe dhe nderime te varri i Rugovës, në lagjen Velania në Prishtinë. Në mesin e pjesëmarrësve në këtë ceremoni ishin e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, amabasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, si dhe të tjerë ambasadorë të huaj.
Osmani e quajti Rugovën “atin themeltar të shtetit tonë”që dha “kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë”.
Presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë edhe zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të rëndësishme që na u deshën më së shumti në ato kohë të vështira, deklaroi Osmani.
Presidentja lavdëroi Rugovën për vizionin e tij, për të cilin vuri në dukje se tani shërben si udhërrëfyes dhe shembull jo vetëm për liderët shtetërore të Kosovës, por për liderët kudo në botë. Rugova ka qenë presidenti i parë i Kosovës dhe ishte lider i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i njohur për rolin e tij në lëvizjën paqësore për pavarësinë e Kosovës nga Serbia gjatë viteve ’90.
Nën drejtimin e Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me të tjera forca politike shqiptare në Kosovë, më 2 korrik të vitit 1990 e shpalli Kosovën, Republikë dhe më 7 shtator të po të njëjtit vit pati miratuar edhe Kushtetutën e saj.
Në Kosovën e para luftës, ai ishte zgjedhur kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet presidenciale, që nuk janë njohur ndërkombëtarisht, të mbajtura më 24 maj të vitit 1992 dhe më 22 mars të vitit 1998. Më vonë, Rugova fitoi edhe në dy garat e përgjishme zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës.
Më 27 gusht të vitit 2005, Rugova shkoi në spitalin ushtarak në bazën amerikane në Landstuhl të Gjermanisë dhe qëndroi aty deri më 3 shtator për trajtim mjekësor. Dy ditë më vonë, më 5 shtator të vitit 2005, presidenti i Kosovës, Ibrahim njoftoi se vuan nga kanceri në mushkëri. Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare.