Presidenti i Ukrainës shprehet krenar për vendin e tij, për “tre vite rezistencë” dhe siç tha për “tre vjet heroizmi absolut të ukrainasve”. Zelensky reagoi sot në ditën kur mbushen tre vjet që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt 2022.
Faleminderit për të gjithë ata që e mbrojnë dhe e ndihmojnë Ukrainën, për të gjithë ata që punojnë për Ukrainën! Dhe, qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për shtetin dhe popullin tonë!
Për të shënuar këtë ditë, thirri një samit ndërkombëtar të sigurisë në Kiev. Marrin pjesë udhëheqës të BE-së, përfshirë presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Sot jemi në Kiev, sepse Ukraina është Europë. Në këtë luftë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës në rrezik. Eshtë fati i Europës.
Fituesi i zgjedhjeve në Gjermani dhe kancelari i mundshëm, Friedrich Merz dënoi agresionin rus dhe krimet e luftës.
Tani më shumë se kurrë, ne duhet ta vendosim Ukrainën në një pozicion fuqie. Për një paqe të drejtë, vendi i sulmuar duhet të jetë pjesë e negociatave të paqes.
Shqetësimet në Europë u rritën pasi presidenti Trump shprehu gatishmërinë për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me homologun rus, Putin, si dhe për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë, duke lënë mënjanë Europën e vetë Kievin.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se “marrëveshja pa Europën, nuk mund të funksionojë”.
Mund të diskutoni çfarë të doni me Putinin, por nëse bëhet fjalë për Europën ose Ukrainën, ato duhet të bien dakord për marrëveshjen.
Në Londër, sot qeveria britanike do të shpallë një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë. Protesta pro Ukrainës pritet të zhvillohen jashtë ambasadave ruse në mbarë botën, përfshirë: Holandën, Kanadanë, Japoninë, Lituaninë, Suedinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Në frontin e luftës, ushtria ukrainase tha se ka rrëzuar 113 nga 185 dronët sulmues rusë që u hodhën gjatë natës në 12 rajone, edhe në kryeqytetin Kiev. 71 dronë të tjerë u zhdukën nga radarët pasi u bllokuan. Dronët ukrainas goditën një rafineri nafte në qytetin rus Rijazan, në jug të Moskës.
Lufta trevjeçare ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve, duke shkatërruar zona të tëra të Ukrainës. Sipas shifrave të cituara nga Zelensky, të paktën 46 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë dhe rreth 380 mijë kanë mbetur të plagosur.
Ndërkaq, viktimat ruse, përfshirë të vrarët e të plagosurit i kalojnë 700 mijë sipas vlerësimeve të Perëndimit në muajin dhjetor.