Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të enjten se sulmet masive me dronë kundër Rusisë ishin hakmarrje për sulmin që dëmtoi një manastir historik të Kievit në fillim të kësaj jave, duke paralajmëruar se “Moska do të digjet” për sa kohë që vazhdojnë sulmet ruse.
Dhjetëra dronë ukrainasë shënjestruan Moskën gjatë natës, duke goditur rafinerinë e naftës në kryeqytetin rus për herë të dytë brenda një jave.
“Ne nuk e duam këtë luftë, nuk e kemi dashur kurrë dhe të gjithë e dinë këtë, ashtu si edhe partnerët tanë”, tha Zelensky në një mesazh audio për gazetarët.
“Por nëse Ukraina digjet, atëherë edhe Moska juaj do të digjet”, shtoi ai.
Të paktën dhjetë persona u vranë të hënën në një sulm me raketa dhe dronë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, i cili shkaktoi gjithashtu dëme në Manastirin Kyiv-Pechersk Lavra, një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe historike të vendit.
Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që të rrisin presionin mbi Rusinë përmes sanksioneve të reja kundër sektorëve të saj të mbrojtjes dhe energjisë, si dhe ekonomisë së saj në përgjithësi, me qëllim që ta detyrojnë presidentin rus Vladimir Putin t’i japë fund luftës.
“Të gjithë duhet të ushtrojnë presion mbi Putinin: ukrainasit, të gjithë evropianët, amerikanët, por edhe vetë rusët. Është koha që ata të vijnë në vete dhe të ushtrojnë presion mbi udhëheqësin e tyre”, tha ai.