Sot shënohet 3 vjetori i agresionit rus ndaj Ukrainës. Prej 24 shkurtit të vitit 2022, të dyja palët kanë regjistruar humbje të mëdha në njerëz, ndërsa Ukraina po vuan edhe pasojat ekonomike. Kjo si pasojë e bombardimeve të qyteteve kryesore në vend. Me rastin e 3-vjetorit, 13 liderë botërorë sot zbarkojnë në Kiev e 24 të tjerë pritet që të marrin pjesë online. Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se do të kenë edhe drejtuesit e Parlamentit Europian e të BE-së në kryeqytet, si dhe të gjithë eurokomisionerët.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, nëse vendi i tij anëtarësohet në NATO. Këtë e bëri të ditur gjatë një konference për shtyp në Kiev, ku theksoi se dëshiron të shohë presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, si një partner të Ukrainës e jo thjesht si një ndërmjetësues mes Kievit dhe Moskës.
Në lidhje me ndihmën ekonomike amerikane, Zelensky refuzoi pretendimet se Ukraina i detyrohet SHBA-ve, 500 miliardë dollarë për ndihmën e marrë gjatë luftës, një shifër që shpesh është përmendur nga presidenti aktual, Donald Trump. Ai argumentoi se grantet nuk duhet të trajtohen si kredi. Presidenti Trump ka kërkuar akses në mineralet e rralla ukrainase, në këmbim të ndihmës.
Trump dëshiron që Ukraina të shpaguajë miliarda dollarë që ia kanë dërguar Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur veten kundër Rusisë. Presidenti amerikan foli ndërsa vazhdojnë negociatat mes Uashingtonit dhe Kievit për një marrëveshje që përfshin aksesin amerikan në mineralet e Ukrainës.
Dje, Rusia nis sulmin më të madh ndaj Ukrainës në 3 vjet luftë. Zelensky foli për “terror ajror rus”. Teksa bëri thirrje për unitet mes aleatëve të Ukrainës, Zelensky raportoi se Moska hodhi 267 dronë gjatë një nate. Moska synon të godasë kapacitetet e mbrojtjes ajrore ukrainase.
Ndërkaq, sot në Arabinë Saudite mbahet një raund i ri bisedimesh, sërish pa praninë ukrainase mes Moskës e Uashingtonit, për gjetjen e një zgjidhjeje rreth konfliktit 3 vjeçar.