Aktualitet

4 zyrtarë në Shkodër nën hetim, AMP-ja ekzekuton masat e sigurisë!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ekzekutoi masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj një efektivi policie dhe tre punonjësve të IMT-së në Vaun e Dejës, të dyshuar për shpërdorim detyre.

Masat u caktuan nga Gjykata e Shkodrës pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, ku u zbulua se disa ndërtues po favorizoheshin në mënyrë të paligjshme nga zyrtarët e përfshirë.

Të dyshuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për një punonjës policie dhe tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Vau i Dejës.

Personat e përfshirë janë A.D., me detyrë nën/specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Vau i Dejës; D.LL., me detyrë inspektor pranë IMT-së; J.H., me detyrë inspektore pranë IMT-së; dhe M.L., me detyrë përgjegjës pranë IMT-së.

Të katërt janë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Konkretisht, ndaj tyre është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas AMP-së, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.