Aktualitet

Aksion në Sarandë, kontrolle në banesat e tre policëve/ AMP-ja ekzekuton masat e sigurisë!

Tre punonjës policie janë vënë nën masa sigurie në Sarandë, pas një operacioni të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Operacioni është kryer në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe lidhet me hetimet e nisura pas aksionit të zhvilluar më 15 maj 2026 në qytetin bregdetar.

Gjatë ndërhyrjes, autoritetet ushtruan kontrolle në banesat e tre efektivëve të policisë, zyrtarisht nën hetim për shkelje të detyrës, vepër e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të procedimit penal, ndaj Blerim Tafçiut është vendosur masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi dyshohet për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë.

Ndërkohë, Gjykata ka caktuar masën “Arrest me burg” për Kristofor Shkrepën dhe Kastriot Sotkën, të dyshuar gjithashtu për të njëjtën vepër penale.

Në zbatim të vendimit gjyqësor, u ushtruan kontrolle në banesat e tre punonjësve të policisë, të cilët janë zyrtarisht nën hetim për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë ekzekutuar këto masa sigurimi:

* “Arrest në shtëpi” për personin nën hetim Blerim Tafçiu, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.

* “Arrest me burg” për personin nën hetim Kristofor Shkrepa, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.

* “Arrest me burg” për personin nën hetim Kastriot Sotka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se aksioni në Sarandë nisi si një ndërhyrje kundër betonizimit të bregdetit, por u thellua duke zbuluar zinxhirin e mosveprimit brenda vetë radhëve të uniformave blu.

Ndërhyrja e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë çoi në arrestimin në flagrancë të 8 personave që po kryenin punimet e jashtëligjshme. Paralelisht, u shpall në kërkim një shtetase, poseduese e hapësirës së plazhit dhe porositëse e punimeve.

Për të zhdukur pasojat e këtij krimi mjedisor dhe urbanistik, në terren zbarkuan IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake, duke kryer prishjen e plotë të ndërtimeve.

Pas mbledhjes së provave, u lëshuan urdhër-arrestet për katër zyrtarë të lartë dhe oficerë të terrenit: Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë; Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve; Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin dhe Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita firmosi pezullimin e menjëhershëm nga detyra për katër të arrestuarit.