Komisioni i Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, sot diskuton raportet për Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë, mes tyre qindra amandamente të propozuara për t’u përfshirë në këto dokumente. Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, përsërit se “vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por ende nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes”.
Ligjvënësja von Cramon i bën thirrje Këshillit të BE-së, që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në dokumentin e saj flitet edhe për mbështetje ndaj kërkesës së Prishtinës zyrtare për anëtarësim në Këshillin e Europës, aspiratat për t’u anëtarësuar në Union, si dhe pesë vendeve anëtare të Bllokut, iu kërkohet të njohin pavarësinë e Kosovës.
Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se ka shënuar përparim në këtë drejtim. Sipas dokumentit që pritet të diskutohet sot, Parlamenti Europian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, shpalli sanksione dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend dënoi këtë agresion.
Por, vendi është kritikuar për situatën në gjyqësor. Shprehet shqetësim me arsyetimin se “gjyqësori vazhdon të mos jetë efikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike”.
Në këtë drejtim u përshëndet propozimi për reformën në prokurori dhe u kërkua që të merret parasysh mendimi i Komisionit të Venecias.
Për raportin për Kosovën janë paraqitur më shumë se 300 amendamente, një numër i madh nga disa deputetë spanjollë, të cilët propozuan që nga raporti të largohen të gjitha referencat që e trajtojnë Kosovën si shtet.
Ndërkaq disa deputetë nga e djathta ekstreme, më së shumti nga Franca dhe Gjermania, kanë propozuar që, në vend të thirrjes për liberalizim vizash, të thuhet se “vizat nuk duhet të liberalizohen në një të ardhme të afërt”. Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raportet për të tre shtetet do të diskutohen dhe miratohen si rezoluta të Parlamentit Europian.
Këto rezoluta kanë peshë politike, por nuk janë detyruese për vendet anëtare të BE-së. Në draft-raportin për Serbinë, shprehet keqardhje për faktin se ky vend nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Po ashtu, aty u bëhet thirrje autoriteteve në Beograd që “të dëshmojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së e të përshtaten me vendimet e qëndrimet e Unionit në politikën e jashtme e të sigurisë”.
Ka pasur shumë amandamente të propozuara nga disa deputetë, që të kushtëzohet procesi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE, me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.