Spanja dhe Franca po përgatiten për valë të reja të të nxehtit, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në disa rajone.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Spanjës thotë se këto temperatura parashikohet të zgjasin të paktën deri të dielën dhe paralajmëron për rreziqe “ekstreme” nga zjarri, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë disa nga flakët më të këqija në historinë e vendit.
Rajonet jugperëndimore të Francës, Gironde dhe Landes, janë nën “alarm të verdhë” për një valë të nxehti që pritet të arrijë kulmin të mërkurën, duke penguar më tej përpjekjet për të kontrolluar zjarret “shumë të paparashikueshme” në Gironde.
Rreth 220,000 njerëz janë evakuuar në Francë dhe më shumë se 100,000 në Spanjë, ku zjarret po përhapen në mënyrë të pakontrolluar në perëndim të Madridit.
Presidenti Emmanuel Macron, duke vizituar zonën e shkatërruar nga zjarret në rajonin Gironde, tha se vendi po përballet me një “zjarr të paparë, më i rëndi që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Zjarret kanë përfshirë edhe disa rajone të tjera franceze, Var dhe Landes, si dhe në Haute-Corse në ishullin e Korsikës.
Ndryshimi i klimës po rrit temperaturat në të gjithë botën dhe Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, duke u ngrohur dy herë më shpejt se mesatarja globale, sipas Shërbimit të Ndryshimit të Klimës Koperniku.