Shkon në 47 bilanci i aksidentit hekurudhor në Greqi ku mbrëmjen e 28 shkurtit, një gabim njerëzor shkaktoi përplasjen e dy trenave pasagjerësh e mallrash pranë Larisës. Ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë mes llamarinave të djegura e mbeturinave në vagonët e shkatërruar. Vinçat gjigantë u vunë në punë që të lëvizin pjesët e dëmtuara.
Të plagosurit janë 57 dhe 6 prej tyre, përfshirë dy shqiptarë po luftojnë me vdekjen në Repartin e Mjekimit Intensiv. Ata janë Anisa Liuri 23 vjeçe dhe Roberto Dristi 25.
Para spitalit në Larisa vazhdojnë të vijnë prindër e të afërm të dëshpëruar për të gjetur të dashurit e tyre. Disa po i nënshtrohen testit të ADN-së për të identifikuar viktimat. Sa i përket numrit të personave që konsiderohen të humbur dëgjohen informacione të pakonfirmuara për 11 deri në 18 vetë.
Tre shtetas shqiptarë Klaudia Lata, Pavlin Bozo e Denis Ruçi nuk janë gjetur deri tani.
Qeveria greke është zotuar se do të nxirren përgjegjësitë për këtë ngjarje fatale e njoftoi ngritjen e një autoriteti të pavarur që të shqyrtojë shkaqet e tragjedisë, si dhe vonesat kronike të projekteve hekurudhore.
Partitë opozitare deklarojnë se kryeministri dhe qeveria e tij po mundohen t’ia hedhin fajin vetëm një njeriu duke e konsideruar gjithë aksidentin si një gabim njerëzor, ndërsa shkaqet janë shumë më të thella dhe e kanë burimin në neglizhenca e gabime shumëvjeçare.
Sa u përket viktimave, qeveria greke ka deklaruar se do të marrë përsipër shpenzimet publike të varrimit të tyre, ndërsa ka ofruar grupe psikologësh pranë familjeve që humbën të afërmit në këtë aksident.
Në zi të rëndë është edhe komuniteti universitar. Të gjitha universitetet shtynë aktivitetet e planifikuara, ndërsa studentët sensibilizojnë opinionin publik për dhurim gjaku. Në shenjë proteste për aksidentin tragjik, përveç Federatës Panhelene të Hekurudhave, shpalli grevë edhe personeli i metrosë në Athinë.