Lifestyle

5 gjërat që ekspertët e produktivitetit nuk i bëjnë kurrë në mëngjes!

Sipas ekspertëve të produktivitetit, mënyra se si nis mëngjesi ka ndikim të drejtpërdrejtë te fokusi, energjia dhe ritmi i gjithë ditës. Ndaj ata shmangin disa zakone të zakonshme, të cilat, sipas tyre, prishin jo vetëm orët e para, por edhe produktivitetin e mëvonshëm.

Rachel Wilkerson Miller, autore dhe specialiste e organizimit personal, thotë se kurrë nuk nis ditën duke shfletuar pa qëllim në lajme apo rrjete sociale. Ajo e kufizon ekspozimin ndaj përmbajtjes së lodhshme menjëherë pas zgjimit, pasi, sipas saj, shfletimi herët e shpërqendron dhe e zhyt në përtaci.

Në vend të kësaj, ajo lexon një buletin të shkurtër me titujt kryesorë, ndërsa kafen e mëngjesit e shoqëron me një podcast, video ose një lojë të qetë. Alan Henry, redaktor dhe autor librash mbi eficiencën në punë, zgjedh të mos e nisë ditën ngadalë. Ai preferon një “shkundje energjie”, si dush i shpejtë dhe kafe, për të hyrë menjëherë në ritëm.

Për të, mëngjesi nuk është koha për ushtrime fizike apo vakte të rënda, sepse e bëjnë të përgjumur.

Ai ruan energjinë e parë të ditës për t’u fokusuar në punë, pasi kreativiteti i tij arrin kulmin në orët e pasdites.

Ekspertja e organizimit Rashelle Isip thotë se shmang rreptësisht detyrat e ndërlikuara të shtëpisë në mëngjes, si plotësimi i dokumenteve financiare apo leximi i politikave të rëndësishme.

Këto kërkojnë përqendrim dhe kohë të plotë, gjë që mëngjesi nuk e ofron. Nëse i fillon herët, ajo rrezikon të gabojë, të nxitohë ose të ndjejë stres të panevojshëm, ndërkohë që mendja i është ndarë mes punës, detyrave të ditës dhe përgatitjes personale.

Trajnerja e produktivitetit Grace Marshall nuk zgjohet herët. Ajo nuk është pjesë e “klubit të orës 5 të mëngjesit”, duke theksuar se gjumi cilësor është çelësi për performancë të mirë, sidomos para eventeve, udhëtimeve apo fjalimeve publike.

Marshall planifikon udhëtimet në mënyrë që të shmangë trenat dhe avionët shumë herët, pasi lodhja e mëngjesit të prish gjithë ditën. Ndërsa ekspertja e menaxhimit të kohës Laura Vanderkam thotë se nuk e nis ditën pa qartësuar më parë qëllimin e saj kryesor.

Ajo përgatit një listë shumë të shkurtër detyrash të domosdoshme, të cilën e konsideron si një marrëveshje me veten. Kjo i jep drejtim ditës dhe e ndihmon të ruajë fokusin, pavarësisht ndërprerjeve apo angazhimeve të papritura.

Tipari i përbashkët?

Mëngjeset nuk janë koha për shpërqendrime, ngarkesa të panevojshme apo vendime të vështira. Ekspertët këshillojnë që orët e para të ditës të jenë të qeta, të qëllimshme dhe të orientuara drejt energjisë dhe qartësisë, për një ditë më produktive dhe më të qëndrueshme. / shqip.al