Aktualitet Zgjedhjet 2025

66 104 zarfe me fletëvotimi të mbërritura në Tiranë!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se procesi i votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit vijon, ndërsa deri sot orën 11:30 janë 193 mijë e 823 zarfe të marra nga zgjedhësit, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Përkthyer në shifra, sipas të dhënave të KQZ-së janë 66 104 zarfe të mbërritura në KQZ.

Nga këto, sipas shteteve kryeson Italia me 29 630 zarfe të kthyera me fletëvotimi, Gjermania 10 422, SHBA 6388. Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 13 916 zarfe, Durrësi 11 949, Elbasani 7511.

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.

Tre ditë më parë, Partia Socialiste i ka kërkuar marrjen e masave KQZ-së, përmes një ankese ku evidenton problematika të hasura gjatë procesit të votimit të diasporës.

Mosrespektimi i protokolleve të njoftimit nga DHL përmes emailit dhe SMS-ve, sidomos në Greqi dhe Itali.

Vështirësi në komunikim me DHL-në, ku kontaktet nuk përgjigjen ose shfaqen si “call failed”.

Refuzim i marrjes së zarfeve të kthimit nga DHL-ja, sidomos në Greqi, si dhe raste kur qytetarëve u kërkohet ta dorëzojnë fizikisht në pikën postare.

Kërkesa për pagesë për kthimin e zarfeve nga ana e DHL-së.

Fletë votimi mungojnë në zarf, me raste konkrete në SHBA, Itali, Angli dhe Greqi.

Shpërndarje e pabarabartë e zarfeve brenda të njëjtës familje. Mesazhe për adresë të pasaktë, pavarësisht konfirmimit të saj nga zgjedhësit.

Dërgesa pa paralajmërim nga korrierët, që rezulton në kthimin e zarfeve pa dijeni të votuesve.

Mosnjohje e bar kodeve nga DHL-ja në disa raste, sidomos në Brescia, Itali sipas letrës së dërguar nga Sekretari për Organizimin dhe Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri.