Rajoni

Votimi nga jashtë Kosovës, KQZ-ja miraton mbi 131 mijë aplikime!

Kosovë u përmbyll shqyrtimi i të gjitha aplikimeve për regjistrim të votuesve jashtë vendit e që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi:

Nga 142 mijë e 803 kërkesa të pranuara për regjistrim, u miratuan 131 mijë e 800 aplikime, ndërsa u refuzuan rreth 11 mijë prej tyre. U anuluan 96 të tjera.

Elezi theksoi se votimi përmes postës është mënyra më e përzgjedhur e votimit nga diaspora e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditur edhe se votimi përmes postës nis më 25 maj e përfundon më 6 qershor. Një ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit, zhvillohet votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë.

Një ditë më parë, KQZ-ja publikoi listat me 902 kandidatët e certifikuar për deputetë të 21 subjekteve politike.

Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe një të pavarur.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit mbahen pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.