Në zgjedhjet parlamentare të 21 majit në Greqi, po marrin pjesë edhe shtatë pjesëtarë të komunitetit të emigrantëve shqiptarë, që prej vitesh jetojnë në vendin fqinj. Dy prej tyre, Fatos Malaj e Niko Bilika kandidojnë për partinë PASOK, njëri në Athinë e tjetri në Selanik. Tre kandidatë të tjerë, Adiljan Koxhaj, Makrina Koçi e Angjelos Jahollari konkurojnë me Partinë “Siriza” në Selanik e Evia. Sidorela Kalthi garon për Partinë Komuniste greke në Kretë e Paty Vardhami në Athinë, me nismën “MERA 25”.
Shumica e kandidatëve nga komuniteti shqiptar janë të rinj të talentuar nga brezi i dytë i emigrantëve, të arsimuar në Greqi e Angli e të përfshirë në jetën politike greke, duke qenë dhe pjesë e debateve e përfaqësimeve në median e vendit fqinj.
Kryesia e Komunitetit Shqiptar në Greqi organizoi një takim me 6 nga kandidatët në zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe aktivistë të komunitetit, nëpërmjet platformës elektronike “Zoom”. Kështu i tha Zërit të Amerikës, Sekretari Organizativ, Irfan Abazaj.
Për komunitetin shqiptar në Greqi konsiderohet shumë pozitiv kandidimi i shqiptarëve për zgjedhjet parlamentare greke, si shenjë e integrimit dhe përfshirjes në jeten social-politike greke.
Sipas Televizonit “Tribuna” që trasmeton në gjuhën shqipe në Athinë, që nga viti 2011 kur Greqia miratoi ligjin e ri për nënshtetësinë e deri më 31 dhjetor të viti të kaluar, nënshtetësinë greke e kanë përfituar 115 mijë e 815 shtetas shqiptarë.
Rreth 87 mijë nga kjo kategori emigrantësh shqiptarë, sipas përllogaritjeve parapake kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e 21 majit. Emigracioni shqiptar në Greqi përballet me mjaft sfida që kanë të bëjnë dhe me statusin e tyre të qëndrimit.
Ambasada shqiptare në Athinë tha se zyrtarja Koordinuese për Diasporën, Joneda Dodaj zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm për Politikat e Migracionit të Republikës së Greqisë, z.Patroklos Georgiadis.
Sipas selisë diplomatike shqiptare, temat kryesore të diskutimit ishin lidhur me vonesat kohore në lëshimin e lejeve të qëndrimit dhe pasojat e tyre në jetën e përditshme të shtetasve shqiptarë, si në sigurimin shëndetësor dhe në lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Po ashtu u diskutua rishikimi i kuadrit ligjor lidhur me lejet e qëndrimit për brezin e parë të shtetasve shqiptarë, të cilët janë në prag të moshës së pensionit, si dhe përshpejtimi i procedurave të pajisjes me leje qëndrimi përmes digjitalizimit të plotë të procedurave e rritjes së personelit të posaçëm për ekzaminimin e kërkesave./Zëri i Amerikës