Izraeli shënon 2-vjetorin e sulmit të 7 tetorit 2023, ndërsa negociatorët izraelitë dhe të Hamasit po zhvillojnë bisedime të tërthorta për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës. Kjo në përputhje me një plan për paqe të propozuar nga Shtetet e Bashkuara.
Dy vjet më parë, në përfundim të festivalit hebraik Sukkot, militantë të udhëhequr nga Hamasi, kaluan kufirin mes Gazës e Izraelit, duke sulmuar komunitete në jug të Izraelit dhe një festival muzike në shkretëtirë me armë zjarri, raketa dhe granata. 1200 vetë u vranë e rreth 250 u morën peng, disa të liruar, të tjerë të vdekur gjatë rrëmbimit dhe një pjesë ende në pengmarrje.
Sot në Izrael mbahen aktivitete përkujtimore. Të afërm e miq të viktimave të festivalit muzikor “Nova” ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje në vendin e sulmit në jug të Izraelit, ku militantët vranë më shumë se 370 njerëz dhe rrëmbyen dhjetëra të tjerë.
Një tjetër ceremoni zhvillohet në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, ku izraelitët përmes protestave të përjavshme, vazhdojnë të kërkojnë lirimin e pengjeve. Një ceremoni shtetërore përkujtimore është planifikuar për më 16 tetor, pas përfundimit të festës së Sukkotit.
Lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë, nga ajri, toka dhe deti ka vrarë të paktën 67 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Lagje të tëra janë rrafshuar e shkatërruar, me shtëpi, spitale, shkolla e ujësjellësa.
Qindra mijëra banorë të zhvendosur të Gazës, tani strehohen në kampe të mbipopulluara dhe hapësira të hapura, me pak akses në ushqim, ujë apo kushte higjienike.
Pas dy vjetësh luftë, 72% e publikut izraelit ka shprehur pakënaqësi me mënyrën si qeveria po e menaxhon konfliktin, sipas një sondazhi të fundit nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.
Gjatë kësaj lufte, Izraeli ka zgjeruar shtrirjen ushtarake, duke goditur shënjestra në pesë vende të rajonit, përfshirë Iranin e duke vrarë disa figura të larta të Hamasit, si dhe udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Izraeli dhe Hamasi po përballen me një presion të madh ndërkombëtar, për t’i dhënë fund luftës. Një hetim i OKB-së muajin e kaluar doli në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza ndërsa grupet për të drejtat e njeriut e akuzojnë Hamasin për krime lufte në sulmin e 7 tetorit. Të dyja palët i kanë mohuar akuzat.
Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump paraqiti një plan me 20 pika që kërkon armëpushim, lirimin e të gjithë pengjeve, çarmatosjen e Hamasit, si dhe tërheqjen graduale të Izraelit nga Gaza.