Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shpreson që së shpejti të bëjë të ditur lirimin e pengjeve që po mbahen në Gaza. Në një fjalim televiziv, tha se “Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet”. “Përmes rrugës së lehtë apo të vështirë, kjo do të arrihet”, u shpreh Netanyahu. Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Këto komente erdhën pasi dy ditë më parë, Hamasi bëri të ditur se ra dakord t’i lirojë pengjet, sipas planit amerikan për paqe, por nuk e përmendi çarmatosjen e ka kërkuar të negociojë në disa pika. Ndërkaq, dje Hamasi deklaroi se Izraeli po vazhdon të kryejë “masakra” duke goditur Gazën që në mëngjes, si dhe apeloi për presion global ndaj shtetit hebraik.
Bisedimet indirekte për armëpushim pritet të nisin nesër në Egjipt. Presidenti amerikan, Donald Trump bëri të qartë se “nuk do të tolerojë vonesa” nga Hamasi, për të respektuar marrëveshjen. Më vonë, vuri në dukje se Izraeli “ra dakord për fazën fillestare të tërheqjes”, që duket se është referencë për largimin e trupave ushtarake, sipas planit amerikan.
Plani me 20 pika propozon përfundimin e luftimeve dhe lirimin e 20 izraelitëve të mbajtur nga Hamasi. Po ashtu, dorëzimin e trupave të pajetë të pengjeve që kanë gjetur vdekjen. Kjo në këmbim me lënien e lirë të qindra palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.
Dje, autoritetet palestineze raportuan për sulme izraelite në Gaza, pavarësisht se Trump i ka kërkuar Izraelit t’i ndalë menjëherë bombardimet. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 66 persona u vranë nga operacionet ushtarake izraelite në orët e fundit.
Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe marrë peng 240 të tjerë. Si pasojë e ofensivës së nisur nga Izraeli për shkatërrimin e Hamasit, kanë humbur jetën më shumë se 66 mijë palestinezë, përfshirë gra e fëmijë.
Sipas grupeve ndërkombëtare të ndihmës, situata humanitare në Gaza është shumë e rëndë dhe palestinezët po vuajnë nga zia e bukës.