Bota

87 minatorë të vdekur në Afrikën e Jugut? A u lanë të vdisnin?

U rrit në të paktën 87 numri i të vdekurve, si pasojë e një situate të tensionuar gati njëmujore mes policisë dhe minatorëve të bllokuar e që punonin ilegalisht në një minierë ari të braktisur në Afrikën e Jugut. Bilancin më të fundit e konfirmuan burime zyrtare. Autoritetet afrikano-jugore u përballën me zemërim në rritje dhe një hetim të mundshëm për refuzimin e tyre fillestar për të ndihmuar punonjësit e nëntokës. Në vend të kësaj, vendosën që t’i detyronin të dilnin duke iu ndërprerë furnizimin me ushqime.

Zëdhënësja e Policisë Kombëtare, Athlenda Mathe tha se 78 trupa u nxorën në një operacion shpëtimi të urdhëruar nga gjykata, me 246 të mbijetuar të nxjerrë nga nëntoka që nga fillimi i operacionit, në fillim të javës. Mathe u shpreh se nëntë trupa të tjerë ishin nxjerrë përpara operacionit të shpëtimit, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Organizatat e komunitetit nisën përpjekjet e tyre të shpëtimit kur autoritetet thanë vitin e kaluar se nuk do të ndihmonin qindra minatorë, me pretendimin se ata ishin “kriminelë”. Dyshohet se minatorët kanë vdekur nga uria, si dhe nga dehidratimi, edhe pse nuk dihen shkaqet e vdekjes.

Autoritetet e Afrikës së Jugut janë kritikuar ashpër në lidhje me ndërprerjen e ushqimit dhe furnizimeve për minatorët në minierën e arit Buffelsfontein, vitin e kaluar. Taktika për t’i shtrënguar ata që të dalin, u dënua nga një prej sindikatave më të mëdha të Afrikës së Jugut.

Policia dhe pronarët e minierës, po ashtu u akuzuan se hoqën litarët, si dhe çmontuan një sistem “ashensori”, që minatorët e përdornin për të hyrë në minierë e për të dërguar furnizimet nga sipërfaqja. Një gjykatë urdhëroi autoritetet vitin e kaluar që të lejonin dërgimin e ushqimit e të ujit për minatorët. Ndërkaq, një vendim tjetër gjykate i marrë javën e kaluar, i urdhëroi të fillonin një operacion shpëtimi.