Ministrat e Punëve të Jashtme nga ekonomitë kryesore të grupit 20 (G20), sot takohen në Johannesburg të Afrikës së Jugut. Konflikti në Lindjen e Mesme dhe lufta e Rusisë në Ukrainë janë në krye të axhendës. Por, tregjet në zhvillim si Afrika e Jugut, Brazili dhe India duan të flasin kryesisht për tema të tilla si ristrukturimi i institucioneve globale, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimi më i drejtë ekonomik.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov konfirmoi se Rusia do të përfaqësohet në takimin dyditor, ndërsa nga Kina, pritet të marrë pjesë ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohen nga një diplomat nga ambasada amerikane atje.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio anuloi paraqitjen e tij për shkak të një mosmarrëveshjeje me Afrikën e Jugut mbi një ligj për shpronësimin e tokës. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock do të përfaqësohet nga një zyrtar i Ministrisë së Jashtme. G20-a përfshin 19 vende, Bashkimin Europian, si dhe Bashkimin Afrikan. Grupi përfaqëson afërsisht 80% të popullsisë së botës dhe mbi 85% të fuqisë ekonomike globale.
Ndërsa në fokus është edhe lufta ruse në Ukrainë, kujtojmë se presidenti amerikan, Donald Trump e ka ashpërsuar kritikën ndaj homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se “ka bërë punë të tmerrshme” dhe se ai do të mund të merrte pjesë në bisedimet e zhvilluara këtë javë mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë në Arabinë Saudite, nëse do të dëshironte. Në platformën e tij Truth Social, shkroi se “Zelensky është diktator pa zgjedhje” dhe paralajmëroi se “më mirë të veprojë shpejt, që të mos mbetet pa shtet”.
Në fjalimin e mbajtur në Majami, Trump vlerësoi se Zelensky është duke keqpërdorur ndihmën amerikane të ndarë për luftë dhe se e ka shfrytëzuar administratën e ish-presidentit amerikan, Joe Biden. Këto komente duket se janë kundërpërgjigje ndaj kritikës së Zelensky-t se Trump “jeton në hapësirën e tij të dezinformatave”, të nxitur nga Moska.
Ne i kemi parë këto dezinformata, u shpreh dje Zelensky. Ne e kuptojmë se kjo vjen nga Rusia.
Zelensky reagoi pasi Trump e ka fajësuar për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se është i “zhgënjyer” që presidenti ukrainas u ankua pse nuk është ftuar në bisedimet e zhvilluara mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë për dhënien fund të luftës. Presidenti ukrainas i ka përsëritur shqetësimet e tij për bisedimet e zhvilluara në Arabinë Saudite lidhur me dhënien fund të luftës së nisur thuajse tre vjet më parë.