Policia e Lezhës zbardhi plagosjen e pasdites së djeshme në Mamurras të Kurbinit, ku u qëllua me armë zjarri 51-vjeçari Marketin (Pjetër) Marku. Policia identifikoi e shpalli në kërkim dy 18-vjeçarë, Roeni Noka e Oligert Ndreca, banues në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit, kur 51-vjeçari i kthyer nga Anglia prej pak ditësh iu kishte kërkuar autorëve të lëviznin me kujdes me makinë e të mos xhironin gomat para portës së shtëpisë së tij.
Uniformat blu njoftojnë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, sqarojmë se nga verifikimet rezultoi se i plagosur me armë zjarri, në dorë, ishte shtetasi M.M., 51 vjeç.
Gjithashtu, informojmë se pas veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe ato të DVP Lezhë, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe autorësisë së këtij rasti, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. N. dhe O. N., secili 18 vjeç dhe banues në Mamurras, të cilët dyshohet se e kanë plagosur 51-vjeçarin, me armë zjarri, për motive të dobëta, në rrugë, në Mamurras dhe më pas janë larguar nga vendngjarja, me një automjet që është gjetur në banesën e shtetasit O.N., dhe është sekuestruar me cilësinë e provës materiale.
I dëmtuari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë së tyre penale.