Politikë Zgjedhjet 2025

Adri Nurellari: “Ka një tendencë që njerëzit të mos votojnë pro dikujt por kundër që të mos vijë në pushtet…”

Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë me “Shqipëria Vendos – Zgjedhjet 2025”. 

Nën drejtimin e gazetarit Blendi Salaj, Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.

I ftuar në studio ka qenë Adri Nurellari, analist politik i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth ditës së sotme të zgjedhjeve në vendin tonë. Ai ka shpjeguar se pse sipas tij zgjedhjet e vitit 2025 nuk ofrojnë atë që duhet të ofronin për zgjedhësit.

Partitë e reja politike dhe roli i tyre, a janë një alternativë që është risi në vendin tonë?

Studimet e fundit tregojnë se në zgjedhjet elektorale ka një tendencë të madhe që njerëzit të mos votojnë pro dikujt por kundër. Pra më shumë qasje negative dhe për të penguar dikë që të vijë në pushtet sesa voton se je i frymëzuar. Nëse njerëzit janë të lodhur nga establishmentet politike e kanë alternativën sepse ne po e shikojmë se ky riqarkullimi i elitës ekzistuese po e pengon progresin në vend. Po ecim shumë ngadalë.