Aktualitet Politikë

Agron Shehaj përsërit akuzat për Adriatik Lapajn!

Në një intervistë për Shqipëria Live në Top Channel, kryetari i partisë “Mundësia“, deputeti Agron Shehaj shpjegoi se përse ka zgjedhur të jetë vetëm më 11 Maj.

Edhe unë mund të bëja oferta, mund të merrja jo një deputet, por edhe 10. Kemi zgjedhur të futemi vetëm sepse dallohemi nga të tjerët sepse kemi një ide të qartë, një vizion të qartë për Shqipërinë.

E di se cilët janë shokët e mi nga e shkuara? Barbara Doda, një vajzë e re arkitekte, që ishte brenda Partisë Demokratike e doli nga PD-ja se kishte të njëjtin mendim me mua. Edhe asaj besoj i janë ofruar poste, por nëse do të vazhdonte të qëndronte në politikë do të besonte në atë që bënte, për t’i sjellë Shqipërisë një ndryshim.

Eshtë Erald Kapri, një historian. Edhe ai ka qenë prej vitesh në politikë si aktivistë. Janë me mijëra të tjerë në të gjithë Shqipërinë që nuk i njihja më përpara dhe na janë afruar thjesht se besojnë në atë që po bëjmë.

Fakti që kemi zgjedhur të dallohemi nga të tjerët e të mos bëjmë pazare, nuk do të thotë që jemi vetëm. Kemi zgjedhur të mos përlyhemi e të mos pranojmë pazaret.

Shehaj përsëriti akuzat ndaj Lapajt.

Që kur hyra në politikë, kam bërë shumë beteja kundër korrupsionit, kundër pazareve, kundër politikanëve të korruptuar që kanë abuzuar me pushtetin. Me Xhaçkën, me Gjiknurin, me Beqaj, me Krifcën, me Edi Ramën. Kam denoncuar korrupsionin në interes të qytetarëve. Mendoja se ishte në interes të qytetarëve që të dinin që po vidheshin.

Të njëjtën gjë identike kam bërë edhe me Adriatik Lapajn. Unë besoj që është në interes të qytetarëve që të dinë se kanë të bëjnë me dikë që është i përlyer me një nga çështjet më të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri, që është mohimi i të drejtës së pronës.

Kam thënë thjesht që ky që kërkon, që do të ulet në karrigen e pushtetit është dikush që aq mundësi ka patur dhe aq është përlyer, imagjinojeni kur të vijë në pushtet!

Eshtë i përlyer, është i përfshirë në afera që kanë të bëjnë me pronat dhe me çështjet që janë prekur nga një i afërm i tij.