Aktualitet

Aksident mes dy automjeteve në Divjakë, disa persona përfundojnë në spital

Një aksident automobilistik është regjistruar këtë të diel në aksin rrugor Divjakë–Tre Urat, në rrugën e brendshme të fshatit Gërmenj.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Audi” dhe një “Toyota”, të cilat janë përplasur ballë për ballë. Përplasja ka qenë e fortë, edhe pse segmenti rrugor ku ndodhi aksidenti ka një kufi shpejtësie prej 30 km/h.

Dyshohet se shkak i aksidentit kanë qenë manovrat e gabuara dhe pakujdesia e drejtuesve të mjeteve në rrugën e ngushtë të fshatit.

Si pasojë e përplasjes, disa persona kanë mbetur të lënduar. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e urgjencës, ndërsa dy prej të plagosurve u transportuan në Qendrën Shëndetësore të Divjakës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.