Aktualitet

Dy aksidente njëherazi në Pogradec, humb jetën një person, plagoset një tjetër

Dy aksidente njëherazi kanë ndodhur ditën e sotme në Pogradec, konkretisht në Qafë Plloçë dhe në aksin Pogradec-Qafë Thanë.

Në aksidentin e parë një mjet ka humbur kontrollin duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës në rrugën e re të Qafë Plloçës. Mësohet se i lënduar ka mbetur drejtuesi i mjetit i cili u transportua në spitalin e Pogradecit ku po merr ndihmën mjekësore.

Sipas bluzave të bardha, drejtuesi është jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shkak mund të jetë bërë një përgjumje e drejtuesit çka ka sjellë humbjen e kontrollit. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po bën zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërkohë aksidenti i dytë ka ndodhur në aksin Pogradec-Qafë Thanë, ku mjeti po ashtu ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat anësore, si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit. Në vendngjarje ka mbërritur dhe policia ndërsa nuk dihet ende gjendja shëndetësorë.