Ditën e sotme, babai i ministres Adea Pirdeni (ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin), është përfshirë në një aksident automobilistik dhe për fat të keq ka humbur jetën.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00 në rrugën ‘Bardhyl’ në Tiranë. 87-vjeçari Luan Pirdeni ka qenë duke lëvizur me biçikletë, në momentin që është përplasur nga një motomjet.
Pas aksidentit, Luan Pirdeni është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, i është dhënë gjak, por nuk ia ka dalë të mbijetojë.
Ministrja Adea Pirdeni ka qenë pranë tij gjatë këtyre momenteve në spital. Më herët, deputetët ndërprenë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, sepse thanë se gjendja shëndetësore e babait të ministres ishte shumë e rëndë dhe disa prej tyre po shkonin atje.
Policia ka vënë në pranga 31-vjeçarin Sejdi Milla, drejtuesin e automjetit që përplasi babain e ministres, ndërkohë grupi hetimor vijon për punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.