Aksident rrugor në Shkodër, një grua 55-vjeçe u plagos sot pasi u përplas nga një makinë në sheshin “Demokracia”. Në timon ishte një shtetas 65-vjeç. Kalimtarët i dhanë ndihmën e parë të plagosurës, që tani ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi u dërgua në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Ndërkaq, policia arrestoi pronarin e makinës tip “Benz” që dje rrëshqiti në fshatin Shtushaj të Bulqizës e përfundoi në oborrin e banesës së një shtetasi që ndërroi jetë. Dyshohet se 39-vjeçari nuk e kishte siguruar mirë makinën.
Në vijim të informacionit të dhënë pasditen e djeshme, për një aksident të ndodhur në fshatin Shtushaj, Bulqizë, ju informojmë se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, për këtë rast, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. T., 39 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se për shkak se nuk kishte siguruar mirë, automjetin e tij tip “Benz”, automjeti ka rrëshkitur dhe ka rënë në oborrin e banesës së shtetasit I. D., ku e ka goditur këtë shtetas dhe për pasojë shtetasi I. D. humbi jetën.
15 shoferë janë arrestuar dhe vënë nën hetim gjatë një jave në Tiranë, pasi drejtonin mjetet në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Vijojnë kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në kryeqytet. Gjatë javës që lamë pas 15 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. 56 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. Janë ndëshkuar me masë administrative 559 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve. 348 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha. 542 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. Janë vendosur 175 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve.