Një aksident rrugor u regjistrua mëngjesin e sotëm në aksin Rrogozhinë-Lushnjë, në vendin e njohur si rrethrrotullimi i Çermës, ku një furgon mallrash u përplas me një mjet bujqësor.
Si pasojë e përplasjes, mbeti i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit bujqësor, Ajet Kullolli, 50 vjeç, banues në Çermë.
Nga informacionet e siguruara në vendngjarje, furgoni i mallrave goditi nga pas mjetin bujqësor. I plagosuri u transportua fillimisht në Spitalin e Lushnjës, ku mori ndihmën e parë mjekësore.
Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, 50-vjeçari u dërgua më pas në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Policia shkoi në vendngjarje dhe vijoi hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.