Aksidenti hekurudhor me mbi 40 viktima në Tempe të Greqisë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis iu drejtua kombit përmes një fjalimi televiziv ndërsa në vendin fqinj janë shpallur tre ditë zie kombëtare për tragjedinë e 28 shkurtit. Shefi i qeverisë së Athinës bëri të ditur se pas dorëheqjes së Kostas Karamanlisit, ministri i Shtetit, Giorgos Gerapetritis do të marrë postin e ministrit të përkohshëm të Infrastrukturës dhe Transportit deri në zgjedhjet e ardhshme.
Karamanlis mori përgjegjësinë objektive politike e dha menjëherë dorëheqjen. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe drejtuesit e Organizatës Hellenic Railways (OSE) e të degës së projekteve të OSE ErgOSE. Gjithçka tregon se kryesisht e për fat të keq, aksidenti erdhi nga gabimi tragjik njerëzor.
Tashmë, kryeministri ka kërkuar që Gerapetritis të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur me krijimin e një komiteti të pavarur e ndërpartiak ekspertësh, i cili të hetojë plotësisht shkaqet e aksidentit. Po ashtu duhen parë edhe vonesat shumëvjeçare në zbatim të projekteve hekurudhore.
Duke folur për vizitën që zhvilloi në vendin e aksidentit në Tempe, Mitsotakis tha se ishte “një skenë e një tragjedie që do të ngulitet përgjithmonë në kujtesën kolektive”.
Dhjetëra bashkëqytetarë, shumica të rinj humbën jetën atje, në një aksident të tmerrshëm treni të paprecedentë në vendin tonë.
Mitsotakis falënderoi zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit, punonjësit e ndihmës së shpejtë e të policisë, autoritetet e qeverisjes vendore, si dhe mjekët, punonjësit e shëndetësisë dhe psikologët.
Ata bënë e po bëjnë më të mirën në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme.
Mitsotakis, i cili dje ishte në spitalin e Larisës u takua me të afërmit e viktimave të përplasjes së trenit dhe gjithashtu të atyre ende të zhdukur.
Me dhimbjen e tyre të patregueshme, me një tepricë dinjiteti, më pyetën për arsyen e tragjedisë. Ne u detyrohemi një përgjigje të sinqertë. Sistemi gjyqësor i vendit të bëjë punën e tij.
Ne do të vajtojmë fëmijët tanë, vëllezërit e motrat, miqtë. Ne do të qëndrojmë të bashkuar edhe në këtë tragjedi. Pastaj do të përulim kokën e do të shtrëngojmë dhëmbët. Do të punojmë që shprehja “Kurrë më!” që kam dëgjuar në Larisa të mos mbetet vetëm fjalë boshe.