Zyrtarët portugezë që hetuan daljen e një tramvaji nga binarët në Lisbonë më 3 shtator, arritën në përfundimin se aksidenti fatal erdhi nga këputja e kabllos, pasi pjesa tjetër e mekanizmit ishte duke funksionuar mirë.
Pas hetimeve të kryera në vendin e ngjarjes, u vërtetua menjëherë se kablloja që lidhte dy vagonët qe e prishur, bëri të ditur Zyra Kombëtare për Transport, përmes një deklarate.
U bënë përpjekje që të përdoreshin frenat e emergjencës, por nuk u arrit të parandalohej përplasja. Për pasojë, 16 persona gjetën vdekjen dhe 20 të tjerë janë plagosur, pasi tramvaji i verdhë ikonik, Gloria u përplas me një godinë.
Policia konfirmoi se në mesin e viktimave ishin pesë portugezë, tre britanikë, dy koreanojugorë, dy kanadezë, një amerikan, një ukrainas, një zviceran e një francez.
Tramvaji 140-vjeçar funksionon për të transportuar pasagjerët nga zonat e pjerrëta të Lisbonës dhe është mjet i rëndësishëm transporti për banorët e qytetit, përveçse atraksion për turistët. Sipas hetuesve, tramvaji po udhëtonte me 60 kilometra në orë kur goditi ndërtesën.
Ende nuk dihet sa persona ishin në mjetin e menduar për 40 pasagjerë dhe sa prej tyre gjendeshin në rrugë. Kryeministri i Portugalisë, Luis Montenegro, u shpreh:
Kjo është një prej tragjedive më të mëdha të së kaluarës tonë të afërt.