Aktualitet

7-vjeçari u përplas për vdekje nga makina, shoqërohet në polici regjisori Petri Bozo!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët tona e të marrin jetë fëmijësh. Një i mitur vetëm 7 vjeç humbi jetën në fshatin Mengel të Elbasanit teksa shkonte në shkollë. 7-vjeçari për të cilin raportohet se i iku nga duart nënës, u përplas për vdekje nga një makinë me drejtues regjisorin Petri Bozo.

Rreth orës 08:00, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti me drejtues shtetasin P.B., 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Banorë të Mengelit ku ndodhi aksidenti tragjik, i dyti pas atij të 3 majit në zonën e ish-Kënetës në Durrës ku mbetën viktima dy fëmijë dhe u plagos një tjetër, tregojnë se shoferi ishte me shpejtësi.

Dolën burrat me vrap nga lokali, ngritën makinën dhe nxorën fëmijën. Njoftuan ambulancën, u vonua 15 minuta, nuk erdhi. E morën fëmijën me makinë të rastit. Nuk e llogaris dot se sa aksidente janë bërë. Ka shumë aksidente në këtë aks. Bëhen shumë. Shoferi ishte me shpejtësi maksimale. E kishte parë dikush. Ai ishte shumë shpejt, shprehet një grua.

Sipas banorëve që u bënë dëshmitarë të skenës së rëndë, drejtuesi pretendoi se ishte duke ecuar me 10 km në orë, në rrugë nacionale, siç u shpreh “në të drejtën time”.