Në një intervistë për revistën Vogue, aktorja Emma Stone bëri një koment të rrallë për bashkëpunimin me aktorin Andrew Garfield me të cilin ishte në një lidhje 4-vjeçare. Dyshja u njohën në xhirimet e filmit The Amazing Spider-Man (2012), ku Garfield luajti rolin e Spider-Man-it, ndërsa Stone ishte Gwen Stacy. “E kam dashur shumë periudhën e xhirimeve të Spider-Man. Më pëlqeu të punoja me të gjithë ata që ishin pjesë e ekipit. Atje njoha Andrew-in, Sally Field dhe Marc Webb ishte i mrekullueshëm. Ishte një kohë me të vërtetë e veçantë në jetën time”-tha aktorja.
Stone theksoi se ishin njerëzit përreth saj që e bënë përvojën edhe më të veçantë. “Tema kryesore për mua nuk është vetëm filmi, por njerëzit me të cilët punova. Kjo është ajo që më ka mbetur gjatë në mendje. Prandaj kam vetëm kujtime të bukura nga gjithë ajo periudhë”-shtoi ajo. Megjithatë, aktorja pranoi se pjesa më e vështirë ishin turnetë promocionalë. “Nuk e kuptoj si ia dalin disa njerëz ta përballojnë. Më kujtohet që vizitova nëntë vende brenda vetëm dy javësh, ndërkohë që duhej të funksionoja nën një lodhje të madhe nga udhëtimet. Gjatë gjithë kohës ndihesha sikur isha në një gjendje psikozë”-tregoi ajo.
Në intervista të mëparshme, edhe Andrew Garfield ka folur me respekt për Emma Stone, duke e cilësuar përvojën në Spider-Man si të veçantë “sepse kishte mundësinë ta njihte Emmën dhe të punonte me të”. Rikujtojmë, se aktorja e njohur së fundmi ka bërë një zbulim për emrin e saj të vërtetë dhe historinë e ndryshimit të tij. Në një intervistë që ndau me kolegun e saj Nathan Fielder në The Hollywood Reporter, aktorja zbuloi se emri i saj i lindjes është “Emily”. Më konkretisht, Fielder iu referua vazhdimisht Stone si “Emily” gjatë intervistës, duke nxitur burimin e brendshëm të revistës të pyeste nëse ndonjë nga kolegët e saj të filmit iu drejtua asaj në të njëjtën mënyrë.