Edhe pse u tha nga ish-menaxheri i saj se do ti jepte fund karrierës së saj në boks, vetë Imane Khelif pas lajmeve që qarkulluan në media vendosi të sqaronte të vërtetën duke thënë se nuk të tërhiqej dhe karriera e saj do të vazhdonte dhe se stërvitja intensive për të është në fokus.
“Bazohet vetëm në deklaratat e bëra nga një person që nuk më përfaqëson më në asnjë mënyrë dhe të cilin e konsideroj se ka tradhtuar besimin tim dhe vendin tim me deklaratat e tij të rreme dhe dashakeqe”, shkroi Khelif.
Nuk e kam njoftuar kurrë tërheqjen time nga boksi. Mbetem e përkushtuar ndaj karrierës sime sportive, duke u stërvitur rregullisht dhe duke ruajtur formën time fizike midis Algjerisë dhe Katarit në përgatitje për ndeshjet e ardhshme. Publikimi i thashethemeve të tilla ka për qëllim vetëm të prishë dhe dëmtojë karrierën time sportive dhe profesionale.”
Gjithçka nisi nga lajmi për tërheqjen e saj, i cili u dha nga ish-menaxheri i saj. Kujtojmë se boksierja algjeriane fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike Paris 2024 ishte në qendër të një rasti kontrovers që bëri xhiron e botës.
“Imane e ka lënë botën e boksit. Aktualisht i ka ndërprerë të gjitha. Nuk ka rifilluar as të stërvitet. Pas asaj që ndodhi në Olimpiadë… Në çdo rast, ajo do t’i nënshtrohej të njëjtit lloj testesh nëse do të bëhej profesioniste. Bën ndonjë seancë stërvitore në Algjeri ose shkon në Katar, në qendrën kombëtare të performancës, për të vazhduar stërvitjen, por asgjë më shumë. Dhe pastaj udhëton kryesisht për kontrata sponsorizimi”, tha Nasser Yefsah për Nice Matin.
Shpresa e Yefsah është që kjo të jetë një ndalesë e përkohshme, por ekziston një precedent që nuk jep shumë optimizëm, në qershor të këtij viti, në programin e Khelif, e cila pas Parisit 2024 nuk është ngjitur më në ring, ishte planifikuar rikthimi me rastin e Eindhoven Box Cup, turne që, sipas rregullores së World Boxing, entit të ri që drejton boksin olimpik, parashikonte teste gjinore të detyrueshme për pjesëmarrëset.
Dhe Khelif ishte përjashtuar nga gara, pa u bërë e qartë nëse ajo kishte pranuar t’i nënshtrohej ekzaminimeve. Në çdo rast, polemikat ishin ringjallur.
“Nga një ditë në tjetrën, ajo pushoi së komunikuari me ne, klubin e saj. U bë shumë e njohur për një organizatë të vogël si e jona”, u përpoq të shpjegonte Tony Vivarelli, bashkë-president dhe themelues i Boxe Nizza Azzurra, klubi nën drejtimin e të cilit kampionia algjeriane do të kalonte në boks profesionist.
Ajo që është e sigurt, prej 13 muajsh askush nuk e ka parë më Imane Khelif në ring.